Gjykata e Katalunjës ka marrë vendimin për mbrojtësin brazilian Dani Alves, i cili mbahet në qeli prej më shumë se një viti, pasi akuzohet se ka përdhunuar një të re në një klab nate në Barcelonë.
Kështu Dani Alves është dënuar me katër vite e gjysmë burg, teksa prokuroria kishte kërkuar 9 vite.
40-vjeçari, i cili është një prej futbollistëve me më shumë trofe të fituar në karrierë, i ka mohuar gjithmonë akuzat. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 31 dhjetor të vitit 2022, teksa Alves u vu në pranga disa javë më vonë.
Gjykata gjithashtu urdhëroi brazilianin që t’i paguajë viktimës 150 mijë euro dëmshpërblim. “Vendimi u mor pasi u vërtetua që viktima nuk kishte qenë dakord për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe ka dëshmi që vërtetojnë përdhunimin”, citohet në vendimin e gjykatës.
Avokatët e brazilianit kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin.