Vërejtje dhe parregullsi po evidentohen në draftin aktual të projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Pa përfshirjen e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Komisionit të Venecias, e rekomandimet e shoqërisë civile, kjo nismë legjislative po kërkohet që të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë, thonë se reforma në KPK, nuk mund të bëhet duke anashkaluar këto kërkesa. Ndërkaq, në seancën e 7 marsit, do të jetë në rend të ditës votimi në lexim të parë i këtij projektligji.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana thotë për KosovaPress, se pushteti po tenton ta kalojë në parim këtë projektligj pa adresimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Çfarë realisht tashmë po tentohet të bëhet është që po tentohet të kalohet ai projektligj ashtu siç ka qenë me gjithë ato vërejtje, me të gjithë ato kritika dhe pse nuk janë adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, po tentohet të kalojë në lexim të parë dhe pastaj në mes të dy leximeve të bëhen adresimet dhe vërejtjet e opinionit të Komisionit të Venecias.
Për neve është gabim, për shkak se Ministria e Drejtësisë, Qeveria është dashur të tërheq këtë projektligj, t’i adresojë fillimisht të gjitha vërejtjet, kritikat, të cilat kanë dalë nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe pastaj ta dërgojë ligjin duke i përfshirë të gjitha ndryshimet sipas opinionit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Makshana.
Pas opinionit të dytë të Komisionit të Venecias, Makshana shton se ka qenë e qartë se si të bëhet reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Praktika ka treguar që kur projektligjet shkojnë, kalojnë në lexim të parë ashtu siç janë, pa i përfillur rekomandimet e Komisionit të Venecias, në fund nuk merren parasysh të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet që kanë dalë. Pra, e ke një ligj me të meta.
Për këtë arsye është konsideruar shumë e rëndësishme që Ministria e Drejtësisë ta tërheq projektligjin dhe t’i adresojë të gjitha rekomandimet, pastaj të dërgohet ligji si tërësi dhe të mos ketë ndryshime me anë të amendamenteve me këtë projektligj, por të votohet në tërësi me të gjitha rekomandimet të cilat kanë dalë nga opinioni i Komisionit të Venecias por edhe nga rekomandimi i Gjykatës Kushtetuese. Por kjo nuk është përfillur nga Ministria e Drejtësisë dhe kanë vazhduar që ta dërgojnë ligjin në Kuvend të Kosovës”, shton ai.
Edhe hulumtuesi, Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se ky projektligj ka mangësi, pa adresimin në mënyrë të përpiktë të opinionit të Komisionit të Venecias.
“Këtu paraqitet problem çështja e rritjes së numri të anëtarëve të KPK-së, gjë e cila paraqet një problem në vete, e po ashtu është çështja e përfshirjes përsëri të Avokatit të Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së. Me gjendjen aktuale të këtij drafti, ne nuk jemi të kënaqur.
Por pavarësisht që i njëjti ka shkuar deri në kuvend dhe nëse kalon në lexim të parë në kuvend, atëherë sugjerojmë që në mes të dy leximeve të bëhen këto ndryshime, ashtu që të adresohen në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Komisioni i Venecias edhe në dy opinionet paraprake por edhe në opinionin së fundmi, ashtu që të kemi një reformë të KPK-së”, thekson ai.
Në anën tjetër, Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol”, nuk pret që reforma në KPK, të përfundojë brenda këtij mandati të qeverisë.
“Duke marrë parasysh se kjo reformë në Këshillin Prokurorial është një reformë e vonuar, ne besojmë që as në këtë mandat nuk mund të arrihet reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për shkak se jemi shumë mbrapa sa i përket procedurave ligjore të cilat i kërkon ligji deri në miratimin e këtij ligji. Jemi në fund të mandatit të kësaj qeverie dhe një reformë e premtuar në fillim, nuk do të mund të arrihet në këtë mandat.
Dhe ne presim shumë që KPK, normalisht të reformohet në një mënyrë të duhur, jo siç është nisur nga fillimi duke tentuar të politizohet. Andaj besojmë që kjo reformë të vazhdojë, mirëpo nuk kemi shpresa që reforma në KPK, të përfundohet brenda këtij mandati”, përfundon Bunjaku.
Në opinionin e fundit, Komisioni e Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së.