“Albshkolla” është një shkollë online për fëmijët shqiptarë nëpër botë, e cila është duke operuar me qendër në Komunën e Gjilanit, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Albshkolla” ofron mësim online për fëmijët shqiptarë kudo nëpër botë.
Kjo kompani, e cila figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, nën emrin “DK3N sh.p.k”, në fillimet e saj kishte të punësuar rreth 400 punëtor.
Por disa nga këta punëtor po largohen nga kompania, duke kërkuar kështu që gjitha të dhënat e tyre të fshihen nga platforma e shkollës.
Ky vendim i tyre vjen si pasojë e pakënaqësive që kanë pasur me trajtimin që iu bë në shkollë.
Një punonjëse e kësaj shkolle, e cila ka dashur të mbetet anonime thotë për “Enigmën” se kompania i ka obliguar punëtorët që ta bëjnë një abonim 12 euro për platformën që ofron shkolla.
Kjo çështje është kundërshtuar nga Driton Ajeti drejtues i këtij institucioni, por që Gazeta “Enigma” ka siguruar dëshminë e fletëpagesave që janë kryer nga punëtorët.
“Pra, tarifa 12 euro është për një vit për qasje në “albshkolla”, ama platforma nuk është e hapur. Kërkoi para, pa ofruar produktin a shërbimin dhe e kam kundërshtuar”, tha Rudaku për “Enigmën”.
Përveç kësaj ajo thotë se iu janë kërkuar nga 100 euro secilit punëtor, për t’i ndjekur trajnimet që ofron shkolla. Siç shkruan në komunikimin që ka siguruar Gazeta “Enigma”, një nga menaxheret e shkollës, me emrin “Verona”, i njofton punëtorët se nëse nuk e kryejnë këtë pagesë, nuk do të mund të marrin kontratë.
Ajo thotë se ky nuk është i vetmi problem. “Ne tash shqetësohemi se në të ardhmen mund të na kërkojë të kryejmë pagesa tjera”.
Për këto pretendime të punëtorëve, Gazeta “Enigma” ka intervistuar pronarin e “Albshkollës”, Driton Ajeti i cili ka bërë të ditur, se ka kontraktuar 419 punëtor, por që sipas tij një grup prej 27 personave janë larguar, me siç thotë ai “pretendime të pabaza”.
“Prej 1 Mars, i kemi pasë 419 intervista pa asnjë paralajmrin në media dhe televizon, vetëm persona që kanë dëgju prej njëri tjetrit. Para 2 ditëve janë larguar 27 për shkak të shantazhit dhe mua më vjen keq sepse janë persona shumë të ndershëm”, tha Ajeti.
Ai pranon se ka kërkuar nga 100 euro për trajnime, porse thotë se ky ishte vetëm një provokim i tij ndaj punëtorëve që kishin krijuar një klan brenda shkollës.
“Ndërsa trajnimet janë obligative. Por ne s’kemi lypë pare. Ka qenë vetëm një provokim jemi. Unë e kam bo dhe mbaj përgjegjësi për ato. Unë kam bërë një provokim me pa kush prej këtyre, sepse nuk kisha dijeni kush po i mban shantazhet. Unë thashë, kam qenë i përgjumur” tha Ajeti për “Enigmën”.
Gazeta “Enigma” merr vesh nga burimet e saja se përkundër që angazhimi i disa punëtorëve ka nisur qe dy muaj, shumë punëtorë nuk janë paguar për punën e tyre.
Drejtuesi i “Albshkolla” thotë se kontratat janë në fuqi nga 1 marsi dhe se pagat e para dalin nga 1 deri më 5 prill.
Edhe kjo rezulton të mos jetë e vërtet pasi që “Enigma” ka siguruar kontratë që i përket “albshkollës” nga 15 janari i këtij viti.
Tutje ai ka hedhur akuza drejt Avni Rudakut, konsulent për çështje mësimore-shkencore në këtë institucion që sipas tij Rudaku i ka bërë shantazhe dhe ka ndikuar tek punëtorët tjerë që të mbesin pa punë.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe Avni Rudakun i cili hedh poshtë akuzat drejtuar ndaj tij, dhe se arsyeja e dorëheqjes nga ky institucion është për shkak të mbrojtjes të së drejtave të punëtorëve.
“Dyshoj se ngjason me skemat piramidale, kur nuk koncentrohet aq në produkt a shërbim, por angazhimin e sa ma shumë punëtorëve. Hyrja në skemë, në fazën e parë, ishte kërkesa për 10 euro, për të paguar ushqimin tradicional që do të servohej në natën e përurimit të shkollës. E kundërshtova, m’u dhimbshin mësimdhënëset dhe nëse një kompani që pretendon se ka miliona – e të kërkojë kinse me vullnet, nga 10 euro, e nuk ka për të kryer shpenzimet për një koktell me 250 euro, si i ka mjetet financiare për qindra punëtorë, me paga 800, 1000 e besa edhe 2000 euro?! E dyta kërkesë ishte të bëhej nga të gjithë pagesa e një tarife prej 12 eurosh për një vit për qasje në platformë, kurse platforma as sot e kësaj dite nuk është e hapur”, tha Rudaku për Gazetën “Enigma”.
“Kundërshtova: së pari produkti, pastaj bëhet pagesa nga klientët mërgimtarë, por jo nga punëmarrësit. Dhe e treta e vërteta, kundërshtova kushtëzimin me 100 euro për trajnim fantom nga kompania, për punëmarrësit mësimdhënës, infermierë etj. Kjo e fundit e mbushi kupën për të dhënë dorëheqje të pakthyeshme dhe dyshimin se mund të ishte skemë piramidale, nga literatura që kam lexuar dhe rrjedhën e biznesit me qindra punëtorë si korporatë a fabrikë e madhe nga Albshkolla. Fati i mirë që e kam guximin, etjen për drejtësi, përvoja të shumta dhe i pasionuar në lexim”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka shtuar se punëtorët e janarit dhe shkurtit nuk janë paguar. Po ashtu ai ka njoftuar se këta punëtor nuk kanë qenë të regjistruar dhe as të deklaruar në ATK.
“As punëtorët e janarit, as të shkurtit, nuk i ka regjistruar dhe deklaruar në ATK. Për të marsit, ndonëse duhet brenda 24 orëve, as ata nuk i ka regjistruar dhe deklaruar. Gjithashtu në ATK, është thirrur nga denoncimi anonim online, e jo se ky ka dashur të shkojë, dje ( 7 mars)”, ka deklaruar Rudaku.
Por kush është pronari i “Albshkolla”?
Në ARBK, “Albshkolla”, nuk figuron me këtë emër por nën emrin e “DK3N sh.p.k”.
Pronari i vetëm i biznesit është Driton Ajeti, një mërgimtar nga Zvicra.
Te rubrika aktivitet/et në ARBK, përpos aktiviteteve mbështetëse arsimore, figuron edhe një tjetër lëmi që nuk ka të bëjë me shkollën.
Aty precizohet se ky biznes merret edhe me “Aktivitetet e mjekësisë së specializuar”.
Biznismeni Driton Ajeti edhe më herët kishte investuar në Kosovë.
Ai ishte pronar i kolegjit “Biomedica”. /GAZETA ENIGMA/