Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, deklaroi sot se ka informuar ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së, mbi raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi javën e kaluar dhe qëllimin për një takim të ri në korrik.
Duke përmbledhur rezultatin e sesionit të kryediplomatëve të BE-së, në Luksemburg, Borrell vuri në dukje se bashkëpunimi midis ShBA-së dhe Bashkimit Evropian është shumë i mirë, dhe se nuk ka më konkurrencë dhe përpjekje nga pala amerikane për të marrë përsipër dialogun.
Borrell shtoi se në ndërmjetësimin për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, tani ka bashkëpunim të fortë midis BE dhe ShBA dhe se kjo do të ndihmojë.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi në sesionin e ministrave të Bashkimit Evropian ishte “vetëm një pikë në temat aktuale dhe vetëm disa minuta iu kushtuan asaj”.