Gjilani është rikthyer te fitoret pas më shumë se tre muajsh, pasi ka mposhtur Lirinë me rezultat të thellë 3-0.
Gjilani e zhbllokoi herët ndeshjen, kur golin e parë e gjetën vetëm pas tetë minutave me autor mesfushorin boshnjak Elvedin Heric.
Përkundër disa rasteve të mira që krijuan në pjesën e parë, gola më nuk pati dhe 45 minutat e para u mbyllën me epërsinë minimale të vendasve 1-0.
Starti i pjesës së dytë ishte fantastik për bardhekuqtë, të cilët menjëherë shënuan gol.
Marko Roganovic ishte autor i golit të dytë në minutën e 46-të për ta dyfishuar epërsinë e skuadrës vendase.
Krejt në fund të ndeshjes, Gjilani gjeti edhe golin e tretë me autor kroatin Edi Basa që shënoi për rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë fitore Gjilani mbetet në vendin e tetë me 25 pikë, derisa Liria vazhdon të jetë në pozitën e fundit me vetëm 10 pikë pas 25 ndeshjeve të zhvilluara.
Ndeshjen e ardhshme Gjilani do ta zhvilloj derbin lokal ndaj Dritës, derisa Liria para adhuruesve të vet pret Malishevën.