Fushë Kosova është përkujdesur për befasinë e radhës, ku kësaj radhe ka mposhtur kampionin në fuqi të Kosovës, Ballkanin me rezultat 2-0.
Vetëm pas 11 minutash lojë vendasit kaluan në epërsi kur Alden Skrijelj realizoi për 1-0.
Ballkani krijoi disa mundësi të mira shënimi, megjithatë nuk ia doli që të barazonte rezultatin në pjesën e parë.
Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllën me epërsinë minimale të Fushë Kosovës 1-0.
Edhe pjesa e dytë filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për vendasit, që realizuan sërish me Alden Skrijelj në minutën e 51-të për 2-0.
‘Pampurat’ u mbrojtën mirë në pjesën e mbetur të ndeshjes, duke mos i lënë shumë hapësira skuadrës mysafire.
Përkundër disa rasteve të tjera, gola më nuk pati dhe Fushë Kosova arkëtoi tre pikë të mëdha nga kjo ndeshje duke fituar 2-0.
Fushë Kosova vazhdon të mbetet në pozitën e nëntë në tabelë me 19 pikë, gjashtë më pak se Gjilani, derisa Ballkani është në pozitën e parë me 51 pikë.
Në xhiron e ardhshme Fushë Kosova do të jetë nikoqir i Prishtinës, ndërkohë Ballkani para adhuruesve të vet pret Llapin në derbin e javës.