Sulmuesi kosovar, Drilon Hazrollaj, është kryefjala e këtij sezoni në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ai momentalisht renditet i dyti me 15 gola të shënuar në listën e top golashënuesve në elitën e futbollit kosovar, vetëm mbrapa Muhamet Hysenit që ka 18 sosh.
Forma e tij e lartë këtë sezon ka bërë që ai të marrë ftesën nga përzgjedhësi i ri i Kosovës, Franco Foda.
Hazrollaj është bërë pjesë e grumbullimit të Kosovës para dy miqësoreve që ‘Dardanët’ do t’i luajnë ndaj Armenisë (22 mars) dhe Hungarisë (26 mars).
Kosova ka zhvilluar sot (e hënë) seancën e parë stërvitore nën urdhrat e Fodës ku pas përfundimit të saj, Hazrollaj ka shprehur optimizmin e tij për një fazë të re dhe të suksesshme për ‘Dardanët’.
“Ftesa e Kombëtares së Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën pasi po kaloj në formë shumë të mirë me klubin tim. Grupi me ka pritur shumë mirë dhe më është dukur sikur të jem me vite pjesë e Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Hazrollaj për faqen zyrtare të FFK-së.
20-vjeçari me shumë mundësi pas përfundimit të këtij sezoni do të bëjë hapin e madhë në karrierë dhe do të transferohet në Evropë.