Më 18 maj, bëhen 13 vjet nga vrasja e Diana Kastratit.
27 vjeçarja ishte vrarë afër shtëpisë ku banonte, nga ish-bashkëshorti i saj, Adnan Jashari.
Burri i saj ende është në arrati.
Antigona Morinës, martesa iu kthye në vdekje.
Ajo ishte martuar me mësitëni me Hilmi Zenën nga fshati Malësi e Vogël e Rahovecit, në korrik të 2011-tës.
Vetëm tre ditë pas dasmës, ajo vdiq. Sipas Prokurorisë, Antigona vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës.
Familjarët e Antigonës e kanë akuzuar dhëndrin për vrasjen e bijës së tyre, i cili sipas tyre ka kryer marrëdhënie seksuale me të derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme.
Nebih Berisha, në tetor të 2015-tës, e kishte vrarë gruan e tij Zejnepe Berisha, duke e goditur 20 herë me thikë në të gjitha pjesët e trupit.
Të gjithë këtë ngjarje që kishte ndodhur në shtëpi, e kishte parë vajza e tyre e mitur, të cilës babai i saj i kishte shkaktuar lëndime trupore.
Po në këtë vit, Kosova u trondit me një nga vrasjet më të rënda, atë të 24-vjeçares Donjeta Pajazitaj, nga Strellci i Deçanit.
Donjeta dyshohet se u vra nga kushëriri i saj Naser Pajazitaj, duke shtënë me armë zjarri ndaj saj dy herë në kokë.
Ajo fillimisht ishte zhdukur, ku më pas u gjet pas 6 javësh në malet e fshatit të saj të lindjes.
Fillimisht Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por më pas ai u lirua nga burgu.
Ndërkaq, rnde është i mjegullt rasti i Dafina Zhubit, e cila u vra me armë zjarri në një banesë në lagjen Emshir të Prishtinës, në vitin 2016.
Ajo kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri, e cila ishte në pronësi të Astrit Dibrës, ish i dashuri i tashmë të ndjerës.
Ngjarja atëherë ishte cilësuar si vetëvrasje, por një ekspertizë e kryer në Zvicër thoshte se ajo është vrarë.
Pak muaj më vonë, listës së grave të vrara iu shtua edhe Flora Omuri, ku pas një grindjeje, bashkëshorti Hajzir Bajrami shkrepi tre plumba ndaj saj, dhe më pas vrau veten.
Gjithë tragjedia ndodhi në dhomën e tyre të gjumit, në shtëpinë e tyre në dalje të Ferizajt.
Tronditja e radhës ishte në gusht të 2018-ës.
Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj Klara, 9 vjeçare u vranë nga bashkëshorti dhe babai, Pjetër Ndrecaj, në shtëpinë e tyre në fshatin Brekovc të komunës së Gjakovës.
Valbona u qëllua me kallashnikov në gjoks dhe kokë, derisa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.
Në vitin 2018, Sevdije Berisha u godit disa herë me sëpatë nga bashkëshorti i saj Isen Berisha, derisa ishte në gjumë.
Pushimet nga Zvicra në Kosovë, Armenda Aliut iu kthyen në tragjedi.
Në vitin 2019, 48 vjeçarja ishte vrarë nga bashkëshorti i saj Bajram Velihaj, ndaj së cilës u shkrepën 14 plumba.
Deri te ngjarja kishte ardhur pasi që Armenda kishte kërkuar ndarjen nga ai.
Pak muaj më vonë, në dalje të fshatit Samadraxhë, Ilir Haxhiaj e kishte nxjerrë nga vetura bashkëshorten e tij Hatije Dina, derisa e kishte grushtuar në të gjitha pjesët e trupit.
Si pasojë e sulmit nga bashkëshorti ajo ishte rrëzuar, ku i akuzuari më pas ia kishte kapur kokën duke e goditur disa herë për asfalti.
Si pasojë e plagëve të marra, pas dy javësh Hatija kishte vdekur në QKUK.
Në vitin 2020 u vra Sabile Mavrovqani, nga bashkëshorti i saj Nuhiu.
Ai e kishte goditur me gyp të hekurit, derisa ia kishte thyer kafkën.
Për vrasjen e 34 vjeçares nga Berivojci i Kamenicës, bashkëshorti nuk e kishte pranuar fajin e plotë.
Në vitin 2021, u vra Sebahate Morina Sopi nga bashkëshorti Lulzim Sopi, i cili më pas u vetëvra.
E rasti që tronditi krejt Kosovën, e që është cilësuar si ndër vrasjet më macabre që nga pas lufta është ajo e Marigona Osmanit nga Ferizaj.
Ajo ishte keqtrajtuar mizorisht nga i dashuri i saj Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu, për dy ditë rresht, derisa ajo vdiq nga plagët e marra.
Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm, kur rasti më pas u kthye në rigjykim, derisa Sejdiu do t’i vuaj 15 vjet burgim.
4 raste të tjera të vrasjes së grave ndodhën në vitin 2022.
Më 5 janar të 2022-tës, në Llaushë të Skenderajt u vra Lirie Qerimaj, 48 vjeçe, nga bashkëshorti i saj Skender Qeriamaj me të cilin jetonte për 20 vjet.
Ai shkrepi gjashtë fishekë në drejtim të saj.
Mirëpo, disa muaj para rastit makabër, burri saj kishte tentuar ta vrasë atë, duke u munduar ta ngufatë me çarçaf, por që e ndjera kishte arritur të ikte.
Në ngjarje tragjike ndodhi në nëntor të po të njëjtit vit.
Mësuesja Sadije Godeni u vra nga burri i saj Izet Sadiku, 70 vjeçar, duke e goditur me sëpatë në banesën e tyre në Prishtinë.
Pas kryerjes së veprës, ky i fundit u vetëdorëzua në polici.
Vetëm 4 ditë më pas, humbi jetën edhe një grua.
Hamide Magashi, 35 vjeçare e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë, u vra në oborrin e QKUK-së, nga bashkëshorti i saj Sokol Halili, i cili më pas vrau veten.
As viti 2023 nuk ishte i qetë. Liridona Ademaj u vra me një plumb derisa po udhëtonte me veturë me bashkëshortin e dy fëmijët e saj, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Planin për vrasjen e 30 vjeçares dyshohet se e kishte bërë burri i saj, Naim Murseli.
E në vendin ku shpresonte se ndjehej e sigurt, u vra edhe Erona Cokli.
Më 12 prill të këtij viti, ajo u vra nga ish-burri i saj Valon Aliu në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, derisa kërkonte ta takonte djalin e saj.
Me të kaluar 4 ditë, Gjyljeta Ukella u qëllua dy herë me armë zjarri në kokë nga bashkëshorti i saj Edmond Lajqi, derisa gjendeshin në banesën e tyre në Pejë.
Nga viti 2010 e deri në muajt e parë të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. /Klankosova.tv