Para dy ditësh, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut për Kosovën për vitin 2023, shkruan Gazeta Enigma.
Ndër të tjera, ky raport thekson se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri. Raporti cilëson se ka pasur “korrupsion serioz qeveritar”.
“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të këtij raporti.
Po ashtu, raporti citon OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, për të cilat thotë se “pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor që të ndiqet penalisht korrupsioni, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar për korrupsion ishte shpesh i butë”.
Analisti i njohur, Fidan Ukaj, tha për Gazetën Enigma se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është mjaft shqetësues, dhe se pasqyron një realitet brenda luftimit të korrupsionit qeveritar.
Ai vlerëson se një dukuri e tillë, pashmangshëm e atakon rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtarë.
“Raporti i DASH-it është mjaftë shqetësues dhe pasqyron një realitet që është faktuar nga arrestimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe është mjaftë shqetësuese si dukuri e cila pashmangshëm e atakon edhe rrugën e Kosovës për në organizata ndërkombëtare, e po ashtu për BE dhe mendoj se institucionet e drejtësisë duhet të jenë më aktive per të ndaluar këtë dukuri shqetësuese në nivel të lartë institucional në institucionet e Kosovës”, tha ai.
Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, Qeveria aktuale qëndron më mirë se ato të kaluarat.
VV ka potencuar se të gjitha raportet ndërkombëtare theksojnë korrupsionin afatgjatë të ngulitur në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Kjo sigurisht vjen si rezultat i qeverisjeve që ndër vite kanë udhëhequr me vendin. Por, po ashtu secili raport i huaj thekson përpjekjet e Qeverisë aktuale në luftën ndaj këtyre fenomeneve dhe reformave që kemi ndërmarrë në kuadër të kësaj përpjekje”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Këto raporte, thotë VV-ja, “në fakt po theksojnë atë që tash e 3 vite jemi duke e thënë dhe luftuar”.
Kjo parti ka publikuar raportin e DASH ndër vite, që nga 2014 deri në vitin 2028.
“Ja çfarë pohimesh kishte vetëm Raporti i DASh-it ndër vite për partitë që sot zhurmojnë për fjalën korrupsion”, vlerëson VV-ja duke bashkëngjitur edhe foton e krahasimit.
Akterët politik nga opozita, e kanë kritikuar Qeverinë Kurti pas publikimit të raportit të DASh-it.
Kryeopozitarët në reagime të ndryshme, kanë cilësuar se Qeveria Kurti ka bërë një punë të dobët në luftimin e korrupsionit, si dhe kanë akuzuar partinë në pushtet si të involvuar direkt në afera korruptive.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se raporti për Kosovën i Departamentit Amerikan të Shtetit, është letërnjoftimi i kësaj qeverie.
Tahiri tha se Kosova asnjëherë nuk ka marrë klasifikim aq të rëndë, serioz dhe aq të keq në raport me gjendjen në vend.
“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe Qeveria nuk kanë marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz dhe kaq të keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për ta kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky Parlament ta diskutojë këtë raport, ku në faqen e tij të parë flet për një korrupsion serioz në Qeveri”, tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së i përmendi edhe disa çështje tjera që u përmendën në raportin e DASh-it për Kosovën.
“Në faqe të parë thotë kështu: Kosova ka probleme serioze me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë… Shkon tutje dhe flet për dhunën me bazë gjinore. Flet për probleme serioze me fjalën e lirë dhe për kërcënimet ndaj gazetarëve. Çka duhet të thotë më shumë një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për të adresuar një çështje që është problem i madh?”, tha ndër të tjera ai.
“Ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie, ndërsa raporti i Freedom House në dy pika kryesore te funksionimi i qeverisë, sa i përket luftës së korrupsionit e rangon prej katër pikëve në një pikë. Ndërsa, sa i përket asaj se çka bënë Qeveria për transparencë prej 4 në 2. Kjo është një çështje e rëndësishme të cilën duhet ta diskutojmë dhe të ballafaqohemi me argumente që janë të saktësuara në këto dy raporte”, deklaroi Tahiri.