Reshjet e fundit kanë shkaktuar telashe në komuna të ndryshme të Kosovës.
Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se rrëshqitjet e dheut nga reshjet e fundit kanë bllokuar rrugën në fshatin Kishnicë.
Ai në Facebook ka shkruar se ekipet janë në terren dhe po punojnë që sa më parë të hapet për qarkullim rruga Prishtinë-Gjilan.
“Pas reshjeve të shiut, në mëngjes është bllokuar rruga nga rrëshqitjet e dheut në fshatin Kishnicë. Ekipet janë duke punuar vazhdimisht që sa më parë të hapet për qarkullim rruga Prishtinë – Gjilan”, thuhet postimin e tij në Facebook.
Dëme ka pasur edhe në Komunën e Prishtinës. Komuna ka njoftuar se për sanimin e dëmeve janë aktivizuar ekipet e zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me policinë.