Republika e Kosovës vazhdon të jetë ende nën masa të Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ende s’ka ndonjë gjë të re sa i përket raportit të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, që do t’ua dorëzojë shteteve anëtare lidhur me heqjen e masave apo edhe zgjerimin e tyre.
Stano tha se deklarimet e dhëna rreth raportit të Borrell mbesin valide, duke marrë parasysh edhe veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, që i quan “të padobishme”.
“Nuk ka asgjë të re për të raportuar dhe ajo që kemi deklaruar është ende e vlefshme – edhe në dritën e zhvillimeve të fundit të padobishme rreth çështjes së dinarit”, ka thënë Stano për Express.
Zëdhënësi i BE-së kishte treguar më herët se është Këshilli i Bashkimit Evropian ai që do të diskutojë për heqjen e mundshme të masave apo zgjerimin e tyre bazuar në zhvillimet në terren, në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, rreth përmbushjes së kushteve të BE-së për heqjen e masave.
Stano kishte thënë më 7 maj se raporti pothuajse është afër finalizimit dhe se do t’iu dorëzohet shteteve anëtare .
Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër pas aksionit të fundit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, ku edhe është mbyllur banka postare e Serbisë dhe janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave.