Parada e Krenarisë në Kosovë do të organizohet për të tretin vit me radhë, kësaj here me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, njofton Gazeta Enigma.
Kjo javë do të nisë më 3 qershor, me disa aktivitete, ndërkohë që Parada do të mbahet më 8 qershor.
“Slogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatorëve.
“Për neve, ta organizojmë Javën e Krenarisë në Kosovë nuk nënkupton vetëm festë: Java e Krenarisë, qysh prej edicionit historik të parë, i vë në hartë të gjithë ata individë që avokojnë çdo ditë për barazi, për gjithëpërfshirje, për të frymuar e për të qenë vetja në një vend ku të marrësh frymë nuk është e lehtë për asnjë”, është thënë tutje në komunikatë. /Gazeta Enigma