Pas humbjeve që i pësuan në xhiron e para, Gjeorgjia e Çekia kërkojnë pikët e parë dhe kështu edhe hyrjen në garë për avancim nga Grupi F i Euro 2024.
Ndeshja Gjeorgji – Çeki zhvillohet të shtunën prej orës 15:00 në Hamburg.
Gjeorgjia po debuton në Evropian, ndërsa luajti ndeshje me intensitet shumë të lartë ndaj Turqisë. Vlerësohet prej ndeshjeve më interesante në pjesën e deritashme të Evropianit, që megjithatë përfundoi 3:1 në të mirë të Turqisë.
Pa pikë mbeti edhe Çekia, që udhëhoqi 1:0 ndaj Portugalisë me gol në minutën e 62-të. Portugezët barazuan në minutën e 69-të, ndërsa golin e fitores e shënuan në minutën e 92-të.
Të dy përfaqësueset shpresojnë të kenë edhe më tepër fat në ndeshjen e së shtunës e po ashtu të konkretizojnë me gola e rezultat paraqitjen e mirë.
“Kemi pranuar analizë të detajuar të ndeshjes së parë të Gjeorgjisë dhe e kemi shikuar edhe vetë po ashtu. Ndeshja ishte e barabartë deri në minutat e fundit. Gjeorgjia ishte e rrezikshme kur shkonte në sulm. Ka shfaqur kualitet në aspektin individual dhe si ekip. Rreziku më i madh për ne do të jetë nga kundërsulmi. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndalim atë. Mbrojtja gjeorgjiane është po ashtu shumë solide dhe thyhet vështirë”, ka thënë selektori i Çekisë, Ivan Hashek.
“Ne mësojmë nga ndeshjet si ajo ndaj Turqisë. Është një proces mësimi. Lojtarët duhet të rikuperohen dhe të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë. Kalimi i grupit është synimi, por më e rëndësishmja është të paraqitemi mirë. Jemi ende në fazë zhvillimi dhe ky turne na ndihmon të jemi edhe më të fortë në të ardhmen”, ka thënë selektori i Gjeorgjisë, Willy Sagnol.