Tash e disa ditë, rreth 40-të fëmijë në Komunën e Gjilanit nuk po marrin disa shërbime nga Shoqata e Handikosit, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo pasi këta të fundit në mungesë të fondeve kanë ndalë shërbimet e rehabilitimit bazuar në bashkësi.
Ky vendim erdhi si pasojë e thirrjeve të cilat nuk gjetën përkrahje nga komuna qysh nga janari i 2024-tës.
Kështu kanë bërë të ditur për Gazeta Enigma, përfaqësues të kësaj shoqate.
Fatmir Shudhani, drejtor ekzekutiv i “Handikos”, ka thënë se nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët me komunën, ndonëse Kuvendi Komunal kohë më parë ka miratuar buxhetin për organizatën por që mjetet nuk u deponuan asnjëherë.
“Nuk po mundemi me gjet kompromis, unë e kam një vendimin që ka dalur nga Kuvendi dhe nuk ekzekutohet nga kryetari i komunës” – ka thënë ai.
Mirëpo, Komuna e Gjilanit për këtë fajin po u’a lë opozitës.
Besart Selimi, zëdhënës i kësaj komune ka thënë për Gazeta Enigma se këta të fundit kanë marrë vendime që ngarkojnë buxhetin e komunës.
“Pikërisht për shkak se opozita, e cila përbën shumicën në Kuvend Komunal, ka marrë vendime që ngarkojnë buxhetin e drejtorisë sonë në kategorinë e subvencioneve për pagesa të paplanifikuara – na ka sjellur në një situatë në të cilën e kemi pasur të pamundur, për shkak teë mungeses së buxhetit, të hapim thirrje publike për mbështetje të OJQ-ve.”, tha Selimi.
“Ne si institucione, nuk mund te favorizojmë dhe as diskriminojme asnjë organizatë. Organizatat e tilla funksionojnë në bazë të projekteve që kanë dhe fondeve që realizojnë përmes tyre”, ka thënë ai.
A është injoruar Handikos nga Komuna e Gjilanit?
Handikos javën e kaluar ka lëshuar edhe një komunikatë si thirrje të fundit për organet kompetente.
“Pas marrjes së vendimeve kemi marr hapa konkret në takim me Drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zj. Doruntina Hasani. Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka deklaruar në mbështetje të OJQ-ve po nuk ka mjete financiare. Pas këtij takimi kemi kërkuar një takim me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, për të diskutuar rreth situatës së krijuar, megjithatë Kryetari i Komunës nuk ju ka përgjigjur kërkesës tonë për takim”, thuhet në njoftimin e tyre.
Edhe Komunat e tjera rrezikojnë të ndalojnë shërbimet e “Handikos”
Muaj më parë Handikos ka rrezikuar të mbyllet edhe në komuna të tjera.
Në Prishtinë, gjatë dhjetorit të 2023-tës, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare ishte paralajmëruar mbyllja e kësaj organizate.
Gjë që kishte shqetësuar familjarët e personave që marrin trajtimet në këtë shoqatë, pasi që shërbimet jashtë kësaj qendre kanë konsto të lartë.
E përpos në Prishtinë me situatë të ngjajshme janë ballafaquar edhe Ferizaji dhe Gjakova.
Për probleme të tilla janë ankuar edhe organizata të tjera joqeveritare të cilat ofrojnë shërbime sociale për fëmijët e cenueshëm. /GAZETA ENIGMA