Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për një muaj paraburgim për gruan nga Podujeva me inicialet Gj.L,, e cila dyshohet se ka vrarë foshnjën e saj gjatë lindjes.
Në arsyetimin për paraburgim, Themelorja tha se nëse e pandehura gjendet në liri, “ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale”.
“Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurës Gj.L, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja e foshnjës gjatë lindjes. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në komunikatën e Gjykatës. /Gazeta Enigma