Një punëtor dhe punëdhënësi i tij, të dytë nga Kosova janë kapur nga policia e Zugut duke kryer punë rinovimi pa leje. Ata janë arrestuar dhe janë dënuar me procedurë të shkurtuar.
Gjatë një kontrollimi të bërë në kuadrin e luftimit të punës së paligjshme, policia e Zug-ut, në bashkëpunim me Zyrën për Ekonomi dhe Punë, kanë kontrolluar një apartament në Hauptseestrasse në Morgarten afër Oberägeri, transmeton albinfo.ch.
Hetuesit civilë me këtë rast kanë hasur në një punëtor me pasaportë kosovare i cili po kryente punë rinovimi.
Pas pak, aty kishte ardhur punëdhënësi i tij, gjithashtu kosovar. Të dy personat janë arrestuar përkohësisht. Gjatë marrjes në pyetje, punëtori ka pranuar se ka punuar në Zvicër pa leje pune ndërsa shefi, se ka punësuar po kështu, pa leje.
Punëtori 31 vjeçar është dënuar nga gjykatësi i zyrës së prokurorit publik Zug për shkeljen e Ligjit për të Huajt dhe Integrimin, me një gjobë me kusht prej 60 njësish ditore, përcjell albinfo.ch. Ndërsa shefi i tij 46-vjeçar është gjobitur me 90 njësi ditore për mos regjistrimin e saktë të punonjësit të tij në Zyrën për Ekonomi dhe Punë. Ai gjithashtu ka marrë një gjobë prej 900 frangash.