Komuna e Gjilanit ka ndërtuar një fushë të tenisit, si pjesë e projektit për parkun Baja, i cili u hap për qytetarët pak muaj më parë, shkruan Gazeta Enigma.
Një gjë e tillë është mirëpritur nga teniserët gjilanas, pasi që kjo fushë është e vetmja që u mundëson atyre ta luajnë këtë sport falas. Fushat private të tenisit njihen për çmimet e tyre enorme për të luajtur.
Megjithatë, edhe pse kjo fushë është një lloj ‘shpëtimi’ për teniserët, ajo i ka disa të meta, për të cilën disa teniserë janë ankuar tek “Gazeta Enigma”.
Një gjë për të cilën këta sportdashës po e kanë problem të luajnë gjatë orëve të mbrëmjes, është ndriçimi.
Komuna ka instaluar disa drita përreth fushës për ndriçim, por duket se ka harruar, (ose nuk e ka parë të nevojshme) t’i vë dy drita për ndriçim në drejtim të rrjetës në mes të fushës.
Kjo hapësirë ka mbetur në errësirë të lehtë.
E kjo po del të jetë problematike për teniserët, pasi po e kanë të vështirë ta shohin nëse topi me të cilin ata luajnë po e kalon rrjetën apo drejtimin në të cilin po shkon.
“Orët e mbrëmjes janë ideale për ne që të dalim dhe të luajmë, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë gjatë ditës. Por mungesa e dy dritave tek rrjeta po na e vështirëson që të luajmë pasi nuk po mund ta shohim topin siç duhet për shkak të errësirës në mes të fushës”, thanë për Gazetën Enigma dy teniserë që po luanin aty.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Komunës së Gjilanit në lidhje me arsyet për këtë mungesë të dritave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Probleme të tjera
Madje, ndriçimi nuk është problemi i vetëm për këta teniserë. Ata thonë se edhe qasja e çdokujt brenda fushës po i bën kushtet aty gjithnjë e më të vështira.
“Këtu shohim shumë fëmijë që hyjnë dhe luajnë futboll. Ata e heqin rrjetën e tenisit dhe në shumë raste e dëmtojnë atë. Kur vijmë për të luajtur e kemi shumë të vështirë që ta kthejmë rrjetën në gjendjen e mëparshme. Është dëmtuar shumë”, tha njëri nga teniserët aty.
Rrjetën e tenisit, ata e gjejnë në këtë gjendje:
“Shpesh ndodhë që të gjejmë edhe mbeturina të ndryshme nëpër fushë”.
Për këtë problem, ata thonë se Komuna do të duhej të ndërmerrte disa hapa, në mënyrë që fusha të jetë e qasshme vetëm për teniserët dhe jo për çdokënd aty, pasi që një shkatërrim i mëtejshëm i fushës do të nënkuptonte se ata nuk kanë fushë tjetër për të luajtur.
Ata thonë se së shpejti do të dërgojnë kërkesë drejt Komunës së Gjilanit dhe Federatës së Tenisit të Kosovës, në mënyrë që hyrja në fushë të jetë e lejueshme vetëm për teniserët. Një gjë e tillë është bërë në Prishtinë, në kohën kur kryetari Përparim Rama ia dha Federatës disa fusha në Taukbashqe për mirëmbajtje dhe përdorim enkas për teniserët. Aty tani hyrja është me kod vetëm për teniserët, çka bën që fushat të qëndrojnë në gjendje të mirë.
“Shpresojmë në bashkëpunim nga Komuna për ta bërë një gjë të tillë”, tha një teniser aty.
“Enigma” ka pyetur Komunën e Gjilanit edhe rreth buxhetit që kanë shpenzuar për ndërtimin e kësaj fushe dhe çmimin e dritave, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm. /Gazeta Enigma/