Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dy ligjet e miratuara ditë më parë nga depuetetët e Kuvendit, atë të Komisionit të Pavarur për Media dhe ligjin për Këshillin Prokurorial, njofton Gazeta Enigma.
Këtë e bëri të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, ka po ashtu tregoi se në Kushtetuese kanë dorëzuar edhe vendimin e për statutin e Universitetit të Prishtinës.
“Kemi proceduar tri beteja të reja në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, PDK-ja konsideron se tri nismat e fundit të miratuara në Kuvendin e Kosovës, dy prej tyre ligje dhe një prej tyre vendim, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe frymën kushtetuese të vendit. Në radhë të parë proceduam Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, konsiderojmë se përmes këtij ligji synohet që të kontrollohet puna e mediave të lira dhe të cenohet fjala e lirë në vendin tonë, tentohet të kontrollohen edhe personat fizik që prodhojnë kontentet e tyre. Po ashtu, është edhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës përmes këtij ligji pushteti aktual po synon që të kapë sistemin prokurorial, rrjedhimisht organin e akuzës që ka për detyrë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çështje e tretë është vendimi për statutin e Universitetit të Prishtinës, përmes kësaj konsiderojmë që Qeveria iu ka mohuar të drejta stafit akademik, është nismë që bie në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Tahiri.
“Presim që këto tri raste të fitohen dhe të fitojë e drejta në vendin tonë, jemi të bindur se do të fitojmë në këto tri beteja si PDK”, shtoi ai. /Gazeta Enigma