Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, ka vënë në pranga gjashtë persona të dyshuar për dallavere me patentë shoferë gjatë aksionit që u krye sot bastisje në dhjetë lokacione të ndryshme – tetë në rajonin e Pejës dhe dy në rajonin e Prishtinës.
Nëpërmjet një komunikate për media, Policia njofton se gjashtë të arrestuarit janë persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve.
“Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT- së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim”, thuhet në komunikatë.
Më tej Policia njofton se gjatë aksionit janë sekuestruar si 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që gjashtë të arrestuarit të ndalohen për 48 orë, ndërsa një prej tyre është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore.
Për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.
Për detajet, mbi aksionin dhe veprimet ka folur edhe prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj.
Ajo ka sqaruar qarkun e veprimeve të ndërmarra.
‘Kam urdhëruar veprime dhe arrestime siç edhe jeni njoftuar, në një aksion që është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Arrestimet janë kryer në Pejë, në Njësinë e Patent shoferëve dhe të sqarojmë se poashtu kam urdhëruar veprime dhe arrestime edhe në komunat Deçan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë të cilat ndërlidhen me Pejën. Detajet do t’i përgatisim, mirëpo është me rëndësi për opinionin që të sqarojmë zonën e shtrirjes së aksionit. Pra kemi të bëjmë me Pejën, Deçanin, Fushë Kosovën dhe Prishtinën, porse të gjitha ndërlidhen me Pejën”, tha Haxhosaj për “Radio 1” në Pejë.
Për aksionin njoftoi edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Në Pejë kanë ndodhur arrestimet e zyrtarëve për Njësinë e Patentë Shoferë. Ne me kohë i kemi raportuar këto raste. Shpresoj se kjo çështje do të shkojë deri në fund, dhe të gjitha ata që janë të përfshirë të marrin dënimin e merituar. Falënderoj organet e drejtësisë për veprimet që janë ndërmarrë deri tani”, ka thënë Durmishi.