Si do të zhvillohet ceremonia hapëse e Olimpiadës?

Si do të zhvillohet ceremonia hapëse e Olimpiadës?

Parisi është gati që xixat dhe shkëlqimin e Olimpiadës t’ua prezantojë miliona njerëzve, përmes një ceremonie hapëse në lumin Sena, diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Kështu, kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium.

Rreth 85 anije do të bartin gati 7.000 atletë, një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e Parisit.

Nisja do të bëhet prej urës Austerlitz, anijet do të lundrojnë rreth katedrales Notre-Dame, për të arritur më pas afër Kullës Eiffel, si dhe nën shumë ura tjera që gjenden rreth qendrës së kryeqytetit francez.

Ceremonia do të nisë në orën 19:30 të premten e 26 korrikut, dhe do të zgjasë rreth tri orë e 45 minuta.

Çfarë do të shohim?

Organizatorët kanë premtuar ceremoni si asnjë tjetër.

Ata deklarojnë se do t’i shfrytëzojnë monumentet historike, qiellin, ujin dhe “nuk do të jetë asnjë urë e pashfrytëzuar për të lëshuar muzikë, për të vallëzuar apo për performanca tjera”.

Rreth 80 ekrane gjigante nëpër Paris do të transmetojnë gjithë ceremoninë, në të cilën do të ketë edhe vallëzues që do të performojnë prej kulmeve të ndërtesave afër Senës.

Në këtë ceremoni do të festohet për Parisin, Francën dhe Lojërat Olimpike, dhe do të ketë paradë të atletëve, performanca artistike dhe pika tjera sipas protokollit, ka thënë Thomas Jolly, drejtor artistik i ceremonisë hapëse.

Detajet se kush do të ndezë fanarin olimpik për të shënuar nisjen e Lojërave, dhe cilët artistë do të marrin pjesë, janë mbajtur sekrete.

Megjithatë, dihet që Lady Gaga dhe Celine Dion janë në mesin e këngëtarëve që janë parë në Paris, duke zgjuar thashetheme se ato ka mundësi të jenë pjesë e ceremonisë.

Mediat franceze kanë thënë se ylli Aya Nakamura, këngëtarja më e dëgjuar franceze në botë, do të jetë pjesë e ceremonisë.

Nakamura ka qenë shënjestër e abuzimit racor online, kur kanë qarkulluar fjalët e para se ajo do të mund të marrë pjesë në ceremoni.

Ajo këndon në gjuhën frënge, përdor shumë lokalizma dhe stili i saj është i ndikuar prej muzikës Indie, e përzier me R’n’B amerikan dhe ritme afrikane.

Një e panjohur e madhe lidhet me motin.

Parashikimet aktuale janë për mot me vranësira, ndonëse organizatorët kanë pritur se do të ketë perëndim të artë dielli, për ta bërë ceremoninë edhe më magjike.

Kush do të marrë pjesë në ceremoni?

Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë, kanë thënë organizatorët.

Komiteti i Lojërave Olimpike ka thënë se rreth 222.000 njerëz kanë fituar ulëset falas, ndërsa 104.000 është dashur të blejnë biletë.

Anijet, që do t’i bartin atletët, do të jenë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar shikuesve prej larg që të shohin gjithçka sikur të ishin aty, ka thënë komiteti. /REL

Related Articles