Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave ilegale të Serbisë për qytetarët serbë në Kosovë, duke thënë se një gjë e tillë paraqet “një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë”.
“Ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes, dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës nga ana e strukturave serbe. Kjo, nuk ka asgjë të bëjë me të drejtat e njeriut dhe as me ofrimin e mundësive të barabarta, sepse ato i ofron Kosova në nivelin më gjithëpërfshirës dhe më ekskluziv për serbët e Kosovës”, shkroi Tahiri në një status në Facebook.
Në anënë tjetër, deputeti i la faj edhe Qeverisë për këtë vendim të BE-së, duke thënë se “krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit”.
“Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së. Kjo ndodhi sepse krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit. Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi!”, u shpreh Tahiri. /Gazeta Enigma