Ministri i Jashtëm i Qipros kritikon Kosovën për veprime “shumë penguese” në dialog me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Qipros kritikon Kosovën për veprime “shumë penguese” në dialog me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Qipros, Konstantinos Kombos, ka kritikuar autoritetet e Kosovës për “destriktivitet në proces dhe për veprime të njëanshme”, sa i përket dialogut me Serbinë.

Kombos i bëri këto komente gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili po merr pjesë në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve në Universitetin e Qipros në Nikosia.

“Ne mirëpresim angazhimin konsistent konstruktiv të Serbisë, i cili për fat të keq nuk është reciprok. Prandaj, ne shprehëm shqetësimin tonë për ngecjen e negociatave dhe veprimet e njëanshme dhe shumë penguese nga Prishtina”, deklaroi Kombos në një konferencë për mediat në Qipro.

Në vijë me deklaratat e Kombos shkoi edhe Gjuriq, i cili tha se “dialogu me Prishtinën është sfidues, por se Serbia mbetet e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe demokratike”.

“Sfida më e madhe e Serbisë është situata në Kosovë. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ka qenë  një problem domethënës  për Serbinë, gjë që ka ndikuar në gatishmërinë e Serbisë që të mos pajtohet në plotëni me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha Gjuriq. /Gazeta Enigma

Related Articles