Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë e Laura Fazliu të bronztën në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris. Për suksesin në Paris, Distria, Laura dhe trajneri i tyre, Driton Kuka, do të shpërblehen financiarisht nga shteti.
Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, nga buxheti i shtetit, Distrisë do t’i takojnë për medalje të argjendtë 60 mijë euro, kurse Laurës 40 mijë euro për të bronztën.
“Trajnerët e sportistëve që arrijnë rezultate të vlefshme për shpërblime shtetërore sipas kësaj Rregulloreje, shpërblehen në masën 50% të vlerës së përcaktuar për sportistët”, shkruan në rregulloren për ndarjen e shpërblimeve shtetërore të MKRS-së.
Pra, trajnerit Kuka do t’i takojnë në total 50 mijë euro. Ekipi i xhudos i udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka ka fituar pesë medalje olimpike në tri pjesëmarrjet e Kosovës në Lojërat Olimpike. Të artën në “Rio 2016” e fitoi Majlinda Kelmendi, ndërsa në “Tokio 2020” me medalje ari u stolisën Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.