Presidentja Vjosa Osmani sot do të jetë e pranishme në Kroaci, për të marrë pjesë në garën e 309-të vjetore me kuaj, që mbahet në qytetin kroat të Sinjit, çdo të diel të parë të gushtit, që nga viti 1715.
Osmani do të shkojë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindoni, me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Millanoviq.
Kjo është bërë e ditur në njoftimin e Zyrës së Presidentit në Kroaci.
“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vjen në alkën e Sinjit me ftesë të presidentit Millanoviq, i cili si vitet e kaluara është edhe sponsor i saj. Ardhja e saj në Sinj është dakorduar më parë me kryesinë e Shoqëria Kalorësit e Alkut, e cila vitet e fundit po përpiqet të ndërkombëtarizojë këtë ngjarje tradicionale kalorëse në Sinj dhe do të promovohet jashtë kufijve të Kroacisë”, thuhet në njoftim.
“Milanoviq, si sponsor i alkës së Sinjit, e mbështet këtë përpjekje të Shoqërisë Kalorësit e Alkut , kështu që vitin e kaluar ai ftoi presidentin e atëhershëm të Hungarisë, Katlin Novak, në alkën e Sinjit, ndërsa një vit më parë, mysafir ishte, presidenti i asaj kohe i Sllovenisë, Borut Pahor, burrështetasi i parë i huaj në alkën e Sinjit”.
Gjatë qëndrimit në Sinj, Milanoviq dhe Osmani do të vizitojnë ekspozitën “Vanja Radaush dhe Stipe Sikirica – dialog mes mësuesve dhe nxënësve”.
Me këtë rast ata do të vizitojnë edhe Muzeun e Alkës.