Kurti flet për protestën në veri për Urën e Ibrit

Kurti flet për protestën në veri për Urën e Ibrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të protestës e cila është mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, shefi i qeverisë tha se protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim.

“Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, shkroi Kurti.

Tutje, kryeministri njoftoi se komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Kurti u bëri ftesë bashkëqytetarëve të komuniteti serb që të marrin pjesë në diskutim në të cilin do të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre.

“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar më tej kryeministri.

Related Articles