Stano: Nëse nuk zbatohet Marrëveshja, s’është dështim i dialogut, por i Kurtit dhe Vuçiqit

Stano: Nëse nuk zbatohet Marrëveshja, s’është dështim i dialogut, por i Kurtit dhe Vuçiqit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një intervistë për N1 ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Stano s’është pajtuar me konstatimin se dialogu ka dështuar, por ka thënë se procesi është vetëm në ngërç, meqë dy liderët, Kurti dhe Vuçiq, s’duan të flasin dhe se edhe kur flasin, s’janë në gjendje për të arritur përparim dhe për të bërë kompromiset e nevojshme për interesat e popujve të tyre.

“Ata në fakt po dëmtojnë popullin e tyre. Por nëse shikojmë historinë e dialogut, ai ka më shumë se dhjetë vjet që ka pasur momente të mira dhe të këqija. Ka një sërë marrëveshjesh që janë arritur dhe një sërë gjërash janë përmirësuar në jetën e njerëzve. Për shembull, arritëm një marrëveshje për telekomunikacionin, një marrëveshje për shumë gjëra, gjëra të vogla, që ndikuan te njerëzit në terren. Sigurisht, njerëzit përqendrohen gjithmonë në gjërat negative”, ka thënë Stano.

Stano ka thënë se progresi që është arritur në mes të dy shteteve as s’është ëndërruar që do të arrihet dhe thotë se tashmë ka pak progres dhe se BE-ja po bën gjithçka që është e mundur për të ndihmuar palët në procesin e dialogut.

Në fund, Stano ka thënë se nëse nuk zbatohet Marrëveshja dhe nëse Kosova dhe Serbia s’e zbatojnë atë që kanë premtuar, normalisht që s’do të ketë përparim dhe se s’është dështim i dialogut por i atyre që s’janë në gjendje as të flasin.

“Përsëri, nëse ata nuk janë në gjendje të zbatojnë Marrëveshjen, të përmbushin atë që është premtuar, atëherë nuk do të ketë përparim. Ky, megjithatë, nuk është dështim i dialogut, por dështim i atyre që nuk janë në gjendje të flasin”, ka thënë Stano.

Related Articles