Çmimet e produkteve mund të rriten, shkak vendosja e kuotave tatimore në import nga Qeveria

Çmimet e produkteve mund të rriten, shkak vendosja e kuotave tatimore në import nga Qeveria


Qeveria e Kosovës më 7 gusht ka miratuar Udhëzimin Administrativ për vendosjen e kuotave tatimore në import. E kjo sipas njohësve të ekonomisë mund të shkaktoj rritje të çmimit të produkteve që importohen, shkruan Gazeta Enigma.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se pasojat e këtij vendimi do t’i atribuohen qytetarëve.

“Udhëzimi Administrativ 06/2024 për vendosjen e kuotave tatimore në import, i miratuar nga Qeveria më 07.08.2024, do të shkaktoj kaos në importe, do të riorganizoj tregtinë me jashtë mes kompanive kosovare dhe vendeve nga vijnë importet, si dhe do të pamundësoj importin me çmime më të lira. Pasojat do t’i bartin qytetarët pasi çmimet e mallrave nga importi do të rriten, duke e rënduar koston e shportës së konsumit”, ka thënë Hoti.

Ai madje ka shtuar se “Është e pakuptueshme se si disa nga odat ekonomike nuk po reagojnë për këtë anomali në politikat tregtare”.

Rrezik real për rritje të çmimeve

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ndaj Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024 për përcaktimin e rregullave dhe kuotave të Importit, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar.

Përmes një reagimi për media, Lidhja e Bizneseve ka bërë me dije se udhëzimi në fjalë do të këtë një ndikim të madh në sektorin privat.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e madh lidhur me Nënshkrimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024 për përcaktimin e rregullave dhe kuotave të Importit. Ky udhëzim duket se do të ketë një impakt të rëndë në sektorin privat dhe do të sjellë rritje të çmimeve të produkteve, duke u reflektuar në koston e shportës së konsumit për qytetarët”, është thënë në reagim.

Sipas tyre, udhëzimi shkel parimet e tregut të lirë, i cili garantohet me Kushtetutë të Kosovës.

“Kontrolli i rreptë mbi sasinë dhe llojin e produkteve të importuara në Kosovë, si dhe mbi kompanitë që mund të kryejnë importet, shkel parimet e tregut të lirë që karakterizojnë ekonominë e hapur të Kosovës, siç është theksuar në Nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës. Përveç sektorit privat, qytetarët dhe ekonomitë familjare do të ndiejnë pasoja të këtij udhëzimi, nga këto rregulla të reja të importit, duke sjellë rritje të çmimeve të produkteve dhe goditje për sektorin privat në përgjithësi. Pra, Dëmet e këtij udhëzimi do t’i ndiejë edhe qytetarët dhe ekonomitë familjare”, thuhet në reagim.

“Pasojat e menjëhershme pritet të jenë një valë e re e rritjes së çmimeve, duke e bërë jetesën më të vështirë për shumicën e qytetarëve të Kosovës”.

“Vendim që shkel rregullat e BE-së”

Eksperti i Ekonomisë, Mustafë Kadriaj, e ka cilësuar si gabim vendimin e Qeverisë për vendosje të tarifave.  

Kadriaj vendimin e Kurtit e krahason me atë të ish-kryeministrit Haradinaj me taksën ndaj mallrave serb.

“Vlerësoj sikurse ish-kryeministri Haradinaj me taksën ndaj mallrave serbe, edhe Kurti po rrëshqet në këtë pikë për faktin që nëse fillohet me taksa në import, pra, me të njëjtën level do të veprojnë edhe shtetet tjera me produktet me origjinë nga Kosova, pra, ky është ligji i ekonomisë së lirë pra do të biem ndesh me MSA-në dhe OBT-në. E rrugës do të ishte që Qeveria të vendos kuota sasiore që për produkte të cilat prodhohen në Kosovë dhe mbulojnë tregun vendor për të njëjta produkte të importit të vendoset kuotë sasiore, që me i vendosë sasinë e importit por jo taksën sepse nuk kemi komoditet që të sillemi ne si shtet duke ditur fuqinë tonë ekonomike”, tha Kadriaj për Gazetën Enigma.

Tutje, eksperti i ekonomisë thekson se miratimi i këtij vendimi do ta vështirësoj jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse në fund do t’i faturohen atyre rritjet e çmimeve si shkak i kuotës tatimore në import.

“Nuk është turp Qeveria të pyes për politika ekonomike dhe tregtare, por turp është të ndërmarrë veprime në dëm të ekonomisë së vendit”

“Pra Qeveria e Kosovës do të bëj dy gabime e para me taksen në import e cila do e vështirësoj jetën e qytetarit, sepse për fat të keq kemi import të lart dhe kjo do i faturohet qytetarit në fund, ndërsa në eksport është e natyrshme që vendet partnere të sillen njëjtë sikurse Kosova duke i vendosur taksa shtesë produkteve me origjinë nga Kosova. Duke ditur perfomancën e Qeverisë aktuale, në fakt nuk pres më mirë sepse mendësia e kësaj Qeverie nuk ka kapacitet më të madh për politika ekonomike dhe tregtare por duhet t’i kujtojmë Qeverisë dhe kryeministrit nuk është turp me pyet por është turp me ndërmarrë veprime në dëm të ekonomisë së vendit”, përfundoi Kadriaj për Enigmën./GAZETAENIGMA/

Related Articles