Ndonëse më 5 maj të vitit 2023 OBSH kishte shpallur fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore, një vit pas, në shumë vende të botës përfshirë edhe Kosovën gjurmë të këtij virusi janë rikthyer, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në Kosovë aktualisht janë 260 raste aktive të COVID-19 në Kosovë.
Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën “Enigma” kanë theksuar se komunat me numrin më të madh të rasteve me COVID-19 janë komuna e Prishtinës, ajo e Gjilanit dhe e Mitrovicës.
Kurse Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” deklaroi se dy pacientë të moshës së shtyer janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.
Tutje Vishaj ka shtuar se “nga 260 raste sa janë aktive me COVID-19 aktualisht 13 prej tyre janë të shtrirë në Klinikën Infektive”.
Drejtori i Klinikës Infektive ka njoftuar se kanë mjaftueshëm teste edhe nëse ka rritje të rasteve pozitive.
“Kemi mjaftueshëm teste dhe materiale tjera për mjekim edhe nëse ka ndonjë valë të re me raste pozitive me COVID-19”, tha Vishaj për “Enigmën”.
Me cfarë simptoma po shfaqet COVID-i?
Infektologu Xhevat Demiri, ka njoftuar për simptomat që janë duke u shfaqur aktualisht te rastet me COVID-19. “Kohëve të fundit janë vërejtur disa raste me COVID-19, por me simptoma më të lehta krahasuar me përhapjen e këtij virusi në vitet e kaluara”, tha infektologu për Gazetën “Enigma”.
Tutje Demiri ka theksuar se simptomat e COVID-19 janë të përafërta me ato që kanë qenë më herët.
“Simptomat janë gati të përafërta me simptomat e më hershme. Dua të theksoj se kohëve të fundit ka pasur edhe shtim të rasteve të helmimeve, prandaj pa u bërë testi nuk mund ta dimë se a janë raste pozitive me COVID-19”, ka thënë Demiri.
Si vendi jonë po ashtu edhe shumë vende të ndryshme të botës dhe kontinentit evropian kanë regjistruar së fundi raste të reja të COVID-19, ndonëse intensiteti i tyre nuk ka reflektuar me rritje të shtrimeve në spitale apo ngarkesa të tjera të theksuara shëndetësore.
Autoritetet shëndetësore si masë kujdesi rekomandojnë praktikimin e masave parandaluese si mënyrën më të thjeshtë për të ulur rreziqet shëndetësore nga COVID-19, duke përfshirë infektimin, format e rënda të sëmundjes, shtrimin në spital apo edhe vdekjen. /Gazeta Enigma/