Shënohet 50-vjetori i Seminarit të shqipes

Shënohet 50-vjetori i Seminarit të shqipes

Seminari i 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka nisur të hënën në Prishtinë.

Këtë vit shënohet 50-vjetori i themelimit.

Gjatë këtyre pesë dekadave, ky seminar ka pasur dhe ka rol thelbësor në studimet albanologjike. Shumë prej shkencëtarëve të njohur botëror të shkencave albanologjike kanë kaluar nëpër këtë seminar.

Por, gjatë këtyre pesë dekadave, Seminari është përballur edhe me vështirësi e pengesa të ndryshme. Ecuria e tij ishte e lidhur me zhvillimet që ka kaluar Kosova gjatë këtyre 50-vjetëve.

Për të shënuar këtë përvjetor, rëndësinë e tij dhe kontributin e Idriz Ajetit e Rexhep Ismajlit në themelimin e Seminarit, të hënën mbrëma, më 19.08.2024 u mbajt tryeza “50-vjetori i Seminarit”.

Kryetari i këtij institucioni, Mehmet Kraja, duke u kthyer 50 vjet pas në fillet e Seminarit, ka thënë se ngjarja shihej si nxitëse e nacionalizmit shqiptar në sytë e Serbisë.

“Pas vitit 1981, Seminari u sulmua pikërisht si nxitës i nacionalizmit, në një kohë kur ai mbeti simbol i një Kosove identitare, i shkencës dhe i dijes”, ka thënë akademik Kraja. 

Ka thënë se kritika për Seminarin kishte edhe nga Tiranë, pasi shihej si tendencë për t’ia marrë prestigjin e qendrës botërore të albanologjisë.

“Nga dokumentet e deklasifikuara së fundi del se edhe Tirana e shikonte Seminarin jo vetëm me skepticizëm, por nuk ngurroi ta quante edhe tendencë për t’ia marrë Shqipërisë prestigjin e qendrës botërore të albanologjisë dhe si synim i hapur për ta thelluar më tej bllokadën imperialiste revizioniste. Vitet kaluan dhe Seminari përjetoi po ato ngritje dhe rënie që kaloi edhe Kosova, Universiteti, Akademia dhe institucione të tjera arsimore e shkencore”, ka thënë Kraja. 

Seminari nisi më 1974 nga akademiku i ndjerë, Idriz Ajeti, me emërtimin “Qendra e Kulturës Shqiptare”. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka konsideruar zgjerimin e programit të Seminarit si testament të rrugëtimit të vështirë ndër vite. 

Related Articles