Kurti nga Çikago: Tre kategoritë që na e mundësuan fitoren janë gratë, të rinjtë dhe diaspora

Kurti nga Çikago: Tre kategoritë që na e mundësuan fitoren janë gratë, të rinjtë dhe diaspora

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Enigma.

Sot ai mori pjesë në një panel diskutimi “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike” në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve të organizuar nga NDI në Çikago.

Kurti në adresimin hyrës të tij “fillimisht falënderoi NDI për partneritetin me Kosovën dhe kontributin e tyre për vendin tonë përgjatë viteve”, siç njofton zyra e tij.

“Partitë politike janë natyrshëm politike. Sfida është se si t’i kthejmë në shoqërore. Këtu mendoj se qëndron dhe suksesi ynë. Tre kategoritë shoqërore që e mundësuan fitoren tonë janë gratë, të rinjtë dhe diaspora. Filluam duke vënë në pah kontributin e grave në shoqëri dhe duke nënvizuar rolin shoqëror të grave. Në anën tjetër, duke patur moshën mesatare të popullsisë në Kosovë 34 vjeç, punuam me të rinjtë përmes kulturës, artit, sportit e debateve mbi teoritë kritike”, citohet të ketë thënë Kurti.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti foli edhe për konstelacionin e përbërjes së Qeverisë së tij, duke treguar se “ka një të tretën e ministrave të kabinetit qeveritar të cilat janë gra, 40 për qind e grupit parlamentar janë gra, dy nga tre zëvendëskryeministra janë gra dhe se gjithmonë thekson se shpesh gratë janë udhëheqëset më të mira dhe organizatorët më të mirë”.

“Përgjatë panelit, u diskutua dhe mbi mënyrat se si partitë politike duhet të përgatiten e pajisen më së miri për t’i bërë ballë sfidave dhe kërcënimeve të cilat paraqiten së brendshmi dhe së jashtmi”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në panelin e diskutimit me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”. Ngjarja u mbajt në Çikago, atje ku dhe po zhvillohet Konventa Kombëtare Demokratike, dhe u organizua nga NDI, si pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024.

Pjesë e panelit bashkë me Kurtin ishte dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson dhe Ministri i Jashtëm i Danimarkës dhe ish-kryeministri, Lars Løkke Rasmussen.

Para fillimit të diskutimit, thuhet se Kurti u takua dhe bashkëbisedoi me Kryetarin e Komitetit Kombëtar Demokrat, Jaime Harrison, në prani dhe të Presidentes së NDI, Tamara Wittes dhe Kryetarit të Bordit Drejtues të NDI, Tom Daschle.

Related Articles