Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj zërave kriktikë ndaj votimit nga mërgata e Kosovës nëpërmjet ambasadave, duke i këshilluar të njëjtit “të qetësohen dhe ta studiojnë ligjin”.
“Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem”, shkroi Gërvalla në një postim në Facebook.
“Së bashku me KQZ-në jemi duke punuar çdo ditë për t’i siguruar secilit qytetar të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si e parashohin ligjet e Republikës së Kosovës, të drejtën dhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Secilit dhe secilës që dëshiron të japë votën e tij dhe votën e saj, dhe në mënyrën që ai dhe ajo vetë zgjedhin për të votuar”, tha ministrja.
Gërvalla tha se e drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës.
“Është detyrim i të gjitha institucioneve tona të krijojnë dhe sigurojnë të gjitha mundësitë e parapara me ligj. E drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë”, u shpreh e para e MPJD-së.
“Mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, përfundoi Gërvalla. /Gazeta Enigma