Lajçak: Kosova dhe Serbia vendosin vetë si duhet të përfundojë dialogu

Lajçak: Kosova dhe Serbia vendosin vetë si duhet të përfundojë dialogu

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se dy shtetet duhet të vendosin vetë se si duhet të përfundojë dialogu, duke i paraprirë mendimit se dialogu jo doemos duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

“Në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane”, tha Lajçak.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a duhet të përfundojë dialogu me njohje reciproke, Lajçak nuk e pohoi një gjë të tillë.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk ka ndryshuar. Dhe, po ashtu, Bashkimi Evropian thotë se u takon dy palëve të vendosin se cili do të jetë fundi. Ne nuk po imponojmë, nuk po diktojmë. Por, sigurisht, i kemi pritjet tona. Dhe, kur unë përmend marrëveshjen ligjërisht obliguese, kjo flet shumë, po ashtu. Por, nuk jemi aty dhe sigurisht se do të ishte gabim diplomatik imi të thosha se si e shoh fundin e procesit. Jam këtu t’u ndihmoj palëve të arrijnë marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, u shpreh ai.

Related Articles