Policia: Situata e qetë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Policia: Situata e qetë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Mbrëmë edhe pse pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak janë mbyllur nga protestuesit serbë dhe atje u panë njerëz me maska, kurse në Jarinje vazhdon bllokada për qytetarët me dokumente të Kosovës, situata cilësohet të jetë e qetë.

Kështu të paktën tha zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident”, tha Elshani.

Për gjendjen e krijuar kanë reaguar Ministria e Jashtme dhe e Brendshme.

Kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi pas mbylljes së Bërnjakut, ku tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.

“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar Policinë e Serbisë së para syve të tyre po lejojnë që grupet të ekstremistëve të bllokojnë kalimet në pikat kufitare me Serbinë.

Related Articles