Apeli i Speciales ia ul dënimin Salih Mustafës në 15 vjet burgim

Apeli i Speciales ia ul dënimin Salih Mustafës në 15 vjet burgim

Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës nga 22 vjet burgim në 15 vjet burgim.

Paneli nxori vendimin  e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të Mustafës në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores.

Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e Mustafës për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e  Mustafës prej 22 vjetëve burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit.

Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator të vitit 2020, nën akuza për krime të luftës.

Ai u shpall fajtor më 16 dhjetor të vitit 2022 dhe iu shqiptua dënim prej 26 vjetëve burgim. Më 6 prill të vitit 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë gjithsej prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave në këtë çështje.

Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin e dhënë nga Trupi Gjykues.

Apeli ia kishte ulur dënimin Mustafës nga 26 vjet në 22 vjet burgim. Ndërkohë Mustafa apeloi edhe në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara. Gjykata e anuloi vendimin prej 22 vjetëve burgim dhe e ktheu rastin në rivendosje.

Related Articles