“Shumë zhurmë për asgjë” – Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur

“Shumë zhurmë për asgjë” – Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur

Janë bërë më shumë se një muaj që kur autoritet në Kosovë vendosën për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, por ndërkohë ka rënë intensiteti i deklarimeve lidhur më këtë çështje, e cila u bë shkak i përplasjeve mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë.

 Ish kryenegociatorja, Edita Tahiri, akuzon kryeministrin Kurti, për dështim në këtë proces, duke i hadhur poshte edhe deklarimet për kthim të sovranitetit në veri.

“Kurti e nisi i vetëm këtë iniciativë duke pasur vetëbesimin bosh. Ka menduar që është lehtë, siç është rasti kur mori pjesë në dialog. Sepse në fillim e kundërshtoi e pastaj u bë pjesë e dialogut. Duke menduar që është lehtë sepse e kanë bërë të tjerët dialogun dhe sukseset e dialogut. Dhe prandaj ka menduar që është lehtë, kur filloj të dështoj në dialog i ndali zbatimet, filloi të kërkojë gjoja zbatim të marrëveshjeve, ndërkohë që ishte vet në tavolinë kur u arrit marrëveshja në vend se në tavolinë të kërkoj nënshkrimet. Sepse nuk ka dije, nuk ka aftësi as për marrëdhënie ndërkombëtare as për negociata. Pra, edhe në urë e nisi vetëm siç nisi edhe shumë gjëra të tjera në veri vetëm. Mandej kur po i vijnë puntë ngushtë vrap po shkon po lut fshehurazi amerikanët dhe KFOR-in që ta mbrojnë Kosovën. E nisi vetëm dhe kur e pa që dështoi, atëherë gjeti fajtorin”, tha Tahiri.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, vë në pikëpyetje seriozitetin e pushtetarëve për rastin e urës së Ibrit, nëse vërtetë janë fokusuar në hapejn e saj.

“Besoj që trumbetimi dhe konfrontimi deklarativ verbal me NATO-n dhe KFOR-in, i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh mundësisë së hapjes së urës, pra ndonjëherë mund të shtrohet pyetja nëse këta pushtetarë, vërtetë kanë dashur ta hapin urën apo kanë dashur vetëm të konfrontohen me NATO-n dhe ta vendosin NATO-n në një situatë jo të mirë para qytetarëve të Kosovës. Mos hapja e plotë e urës së Ibrit, është absurd i llojit të vet, sidomos në mes të vitit 2024, por në të njëjtën kohë është barazvlefshëm absurd që dikush të trumbetoj se mund të veproj pa koordinim me NATO-n, me trupat ndërkombëtare përmes KFOR-it, që janë në Kosovë. Besoj që ideja e hapjes së plotë të urës, duhet të rifilloj, të ketë një rinisje të iniciativës, të ketë komunikim strategjik Kosovë dhe NATO”, tha Ramadani.

Së fundmi kryeministri, Albin Kurti pati deklaruar se Qeveria është gatshme për hapjen e urës mbi Ibër, por pret që QUINT-i dhe KFOR-i, të koordinohen rreth kësaj çështje

Related Articles