SBASHK-u “kërcënon”: Nëse as sot s’dalin pagat e mësimdhënësve, do të shqyrtojmë veprime sindikale

SBASHK-u “kërcënon”: Nëse as sot s’dalin pagat e mësimdhënësve, do të shqyrtojmë veprime sindikale

SBASHK kanë reaguar pas mosekzekutimit të pagave të sektorin publik, raporton Gazeta Enigma.

Ata përmes një komunikate për media kanë bërë thirrje për ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të gjej një zgjidhje ligjore në mënyrë që të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit sot.

Në komunikatë Sindikata e Bashkuar e Arsimit kanë thënë se mos ekzekutimi i pagave do të paraqes probleme për ata arsimtar që jetojnë vetëm me një pagë dhe shumë më keq për ata që kanë kredi dhe këste për të paguar.

“Kujtojmë ministrin Murati se mos ekzekutimi me kohë i pagave për muajin shtator shkakton efekte negative financiare te punëtorët e arsimit dhe jo vetëm nga fakti se shumica e tyre jetojnë me atë pagë dhe mezi e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij. Aq më keq, shumë prej tyre edhe janë në kredi dhe vonesa e ekzekutimit të pagave u krijon probleme shtesë ngase këstet e kredive janë të ndërlidhura me data dhe me daljen e pagave dhe kështu të punësuarit pa fajin e tyre mund të ndëshkohen me kamata shtesë për kreditë e tyre”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Ata kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje urgjente dhe kanë paralajmëruar edhe veprime sindikale nëse s’do të ndodh një gjë e tillë.

“SBASHK kërkon urgjentisht nga ministri Murati që të ndjehet përgjegjës për mos ekzekutimin me kohë të pagave të shtatorit dhe të shtojë angazhimet e të gjejë mundësi ligjore që ekzekutimi i pagave të bëhet që sot sepse në të kundërtën do të konsultohemi me anëtarësinë dhe duke respektuar zërin e tyre, mund të nisim me veprime sindikale”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut. / Gazeta Enigma.

Related Articles