Çka po ndodhë me pagat e sektorit publik? – Kërkohet dorëheqja e ministrit Hekuran Murati

Çka po ndodhë me pagat e sektorit publik? – Kërkohet dorëheqja e ministrit Hekuran Murati

Mbi 82 mijë qytetarë të punësuar në sektorin publik ende nuk kanë pranuar pagat në llogaritë e tyre bankare. Edhe pse është data 1, shqetësues është fakti se pagat nuk janë ekzekutuar ende pasi që Ligji parasheh që pagat të ekzekutohen në ditën e fundit të muajit që kalon, shkruan Gazeta Enigma.

Mos ekzekutimi i pagave lidhet me faktin që mandati ligjor i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Thesarit ka përfunduar. Pa nënshkrimin e tij, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Pjesë e kësaj bllokade janë gjithashtu qytetarë që marrin asistencë sociale, të cilët po presin këto pagesa.

Nga ekzekutivi nuk janë sqaruar ende.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, vlerëson kjo po ndodh pasi që institucionet kyqe janë në duart e ushtruesve të detyrës.

“Duhet kuptuar e vërteta që agjenda politike në Kosovë dhe lufta për pushtet, duke anashkaluar dhe duke lënë anash shumë procese të rëndësishme, në këtë drejtim duhet të kuptohet e vërteta që udhëheqja e shtetit kërkon seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Vet fakti që sot Kosova në institucionet kyqe është në duart e ushtruesve të detyrës, është mëkati i parë. E dyta, kemi një qeveri që më shumë ka praktikantë, sesa ekspertë e profesionistë të fushave”, tha ai.

“Dikush duhet të jap llogari, dhe llogaridhënia shkon në disa segmente. Segmenti i parë ka të bëjë më përgjegjësinë politike, i dyti më përgjegjësinë institucionale përgjegjësitë ekonomike dhe mbi të gjitha atë sociale. Kjo është një dëshmi e një eksperimentimi me shtetin, gjë që po e kthen shtetin mbrapa, se sa që po e avancon drejt ardhmërisë”, shtoi ai.

Gërxhaliu tha se Ministria e Financave duhet të jap përgjegjësi për mos-ekzekutimin e pagave ndaj mbi 80 mijë shërbyesve civil.

“Përgjegjësia i takon Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave është ajo që duhet të jap përgjegjësi, dhe të mësoj njëherë e mirë, që shteti nuk mbahet me praktikantë dhe ushtrues detyre, por me njerëz që kanë aftësim profesional, e jo të jetë kriter kryesor, përkatësia politike dhe militantizmi.
Ligji është shkelur, dhe kjo tregon se ligjet janë më shumë në aspektin dekorativ dhe numerik”, përfundoi ai.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tha se ministri Murati është përgjegjës, teksa shtoi se në pozitat menaxhuese, duhet vendosur njerëz meritor.

“Përgjegjës në radhë të parë është ai që duhet me e zbatu ligjin, që është Ministri i Financave. Kjo po përcillet në kontinuitet me shkelje flagrante të Ligjit për Paga.
Për të dalë nga kjo situatë, duhet respektuar ligjin dhe procedurat institucionale shtetërore, duke vendosur një meritor në pozita menaxhuese. Në vende demokratike, të luhet me pagat e 80 mijë shërbyesve civil, dikush duhet të marrë përgjegjësi”, tha ai në një prononcim për Gazetën Enigma.

Ehat Miftaraj nga IDK ka thënë se mos procesimi i pagave në sektorin publik për shkak të neglizhencës, keqplanifikimit ose mos ushtrimit të përgjegjësive sipas ligjit, në një shtet normal do të pasonte me dorëheqje morale të Ministrit.

“Në një shtet normal që udhëhiqet nga parimet minimale të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, nëse ministri nuk ofron dorëheqje, shkarkohet nga Kryeministri.

|”Fatkeqësia është se e njëjta ministri dhe i njëjti ministër i përkrahur nga Kryeministri Kurti dhe qeveria në pushtet e ka shndërruar në praktikë refuzimin e zbatimit të ligjeve që lidhen me të drejtat e pensionistëve, pensioneve bazë dhe pensioneve të fituara me ligje tjera.”, ka shkruar Miftaraj.

Më tej ai pati një kritikë edhe për prokurorinë.

“Sigurisht, kur Prokuroria ska guxim as profesional e as interes me i mbrojte të drejtat e qytetarëve, vinë pah ministra të tillë që dalin mbi ligjin dhe dhunojnë të drejtat e qytetarëve.”, ka përfunduar Miftaraj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar duke kritikuar qeverinë se po mban peng gjysmën e ministrive dhe 29 agjenci kyçe me ushtrues detyre.

“Qeveria e cila e ka shkelë 10 herë Kushtetën e Republikës së Kosovës, kjo që po i mban peng kundërligjshëm gjysmën e ministrive dhe 29 agjenci me pozita kyçe me ushtrues detyrë, nuk e ka problem sot edhe pse në kundërshtim me Ligjin me e caktu dikë ushtrues detyrë në Thesar në mënyrë që me procedu me ekzekutimin e pagave, normalisht nëse dikush nga zyrtarët pranon që të bëhet viktima e tyre e radhës, e them viktimë sepse mandati i qeverisë përfundon e këta zyrtarë që mbajnë jashtëligjshëm pozita do të përballën me pasoja ligjore në të ardhmën”, ka shkruar Bajrami.

“Pra, qeveria është në shkelje të Ligjit që pozitën e drejtorit të Thesarit dhe dhjetëra pozita të tjera po i mban më shumë se 12 muaj me ushtrues detyre. Qeveria është në shkelje të Ligjit që nuk i ka ekzekutuar pagat dje dhe do të bëjnë shkelje të Ligjit kurdo që vendosë me e caktu një ushtrues detyrë tjetër në Thesar, apo me emëru dikë aty në mënyrë që me pasë mundësi me bë ekzekutimin e pagave për mbi 80 mijë shërbyes civilë. Kjo thotë shumë për paditurinë e tyre dhe mungesën e vullnetit për të respektu edhe Ligjet që vetë ata i kanë hartu dhe i kanë aprovu”, shtoi ajo.

Nga burime jozyrtare, po raportohet se ministri i Financave, Hekuran Murati, ka caktuar Xhevat Zejnullahun ushtrues të detyrës për pozitën e drejtorit të Thesarit, i cili do të mundësonte ekzekutimin e pagave, por zyrtarisht ende nuk është konfirmuar kjo.

/Gazeta Enigma/

Related Articles