Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, të mërkurën e 2 tetorit ka kërkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që të fillojë procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal të Gjilanit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas Hysenit kjo kërkesë u dorëzua pasi tashmë janë kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit komunal.
Tutje ai ka shtuar se Kuvendi Komunal nuk po arrin t’i përmbushë detyrat dhe obligimet ligjore.
“I nderuar Ministër, tanimë kemi kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit. Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojmë nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mos votimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal”, thuhet në letrën e Hysenit, dërguar ministrit Krasniqi.
“Është viti i dytë me radhë që kemi sfida me votimin e buxhetit komunal. Pas mbledhjes së KPF-së për përgatitjen e seancës së shtatorit, me vota kundër, buxheti komunal është kundërshtuar që të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e rregullt”, thuhet më tej në letër.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Shpresa Kurteshin, këshilltare në Kuvendin Komunal dhe anëtare e kryesisë në LDK, e cila ka deklaruar se “ne nuk jemi përçarës, ne e bëjmë argatin direkt vetëm për qytetarin e Komunës së Gjilanit, vetëm qytetarëve të cilët i përfaqësojmë, jo tekeve politike të Alban Hysenit, dhe as tekeve politike të asnjë grupi tjetër”.
“LDK-ja gjithmonë ka qenë e gatshme për të kontribuar në të gjitha çështjet sa I përket Kuvendit dhe gjithçkaje tjetër që shkon në shërbim të qytetarëve e veçanërisht për buxhetin, por sigurisht që ne kemi pasur kërkesa specifike dhe propozime specifike për hartimin e buxhetit, por fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër”, tha Kurteshi.
Tutje ajo ka shtuar se “kërkesa e Alban Hysenit ka qenë e njëanshme pa pasur në konsideratë kërkesat e atyre që përfaqësojnë shumicën në kuvend, kur them shumicën e kam fjalën për shumicën e qytetarëve se nuk jemi vetëm numra 14 plus edhe të tjerët sa bëjnë gjithsej”.
Sipas Kurteshit kërkesat e LDK-së nuk janë marrë në konsideratë nga ana e Hysenit.
“Për ne me të drejtë përfaqësojmë zërin e shumicës së qytetarëve dhe sigurisht që kërkesat tona kanë qenë legjitime të cila është dashtë me u marr në konsideratë, dhe është dashtë me u shqyrtua sepse edhe ne kemi grupe të ekspertëve dhe financiare dhe ekspertë të të gjitha fushave, propozimet kanë qenë të pranueshme por sido që të jetë tani për inat të politikës e për mendime tjera politike që fatkeqësisht kanë devijuar”, ka deklaruar Kurteshi për “Enigmën”.
“Sa i përket “kërcënimit” të Alban Hysenit që do ta shkarkoj kuvendin, a shkarkohet kuvendi a nuk shkarkohet pak është me rëndësi, më e rëndësishme është ajo se çka pëson qytetari. Çka pëson ajo sfera e zhvillimit që i përfshin të gjitha fushat si arsimin, ekonominë, shërbimet publike, kulturën, rinin, sportin e gjithçka tjetër”, deklaroi ajo.
“Fuqi është me ditë me e majtë një kuvend stabil”
“Tani ai e ka vendosur si prioritet, ma më rëndësi për të është me e shkarkua një kuvend me bë shumë zhurmë për asgjë, me i tregu dikujt muskujt ose me tregu fuqi pa e pas hiq. Fuqi është me ditë me e majtë një kuvend stabil, me dit me majtë një ekzekutiv stabil”, ka theksuar ajo.
Kurteshi ka hedhur akuza drejt Hysenit që sipas saj për shkak të tekeve personale e prishur stabilitetin në kuvend dhe ka bërë që edhe PDK të largohej nga koalicioni me të.
“Ky e ka pasur një kuvend stabil, ka pasur koalicion, ku për shkak të tekeve personale po supozoj e kanë deklaruar vet PDK pse janë hequr prej koalicionit. Ai nuk ka mundur me e majtë këtë koalicion e ka shkaktuar kaos në kuvend duke e degëzuar krejt atë drejtori pastaj”, tha ajo.
Tutje ajo ka deklaruar se “pa aftësia e tij për me e majtë kuvendin për me e majtë ekzekutivin nuk na bënë përgjegjës neve, ne jemi përgjegjës për veprimet tona. Tani le të shkarkoj kuvendin, le të “kërcënojë” sa të dojë, edhe nëse shkarkohet kuvendi për neve nuk është shqetësuese sa është shqetësuese stopimi i mëtutjeshëm i projekteve jetike për qytetarë e Komunës së Gjilanit”.
“Ku është ai qe 3 vjet që nuk i ka kryer projektet madhore”
“Fatmirësisht LDK është shumë vigjilente në këtë drejtim ka mat mire çdo veprim të sajin deklaratat I ka publike lidhur me të gjitha deklaratat që bëra deri më tani”, deklaroi Kurteshi.
“Ne jemi më shumë të shqetësuar për mosfunksionimin e ekzekutivit, pasivizimin total të Alban Hysenit. Askush nuk e ka ndal atë me i kryer punët, kuvendi ja ka votuar buxhetin e 2022, 2023, 2024, nuk I ka mbetur tani atij në ditën e fundit të mandatit mu qu e me i krye të gjitha punët”, ka njoftuar ajo.
Kurteshi ka theksuar se Alban Hyseni nuk ka një shkop magjik për me i përfunduar të gjitha projektet në ditën e fundit.
“Ku është ai qe 3 vjet që nuk i ka kryer projektet madhore, ai nuk ka shkop magjik në dorë me u zatet në buxhetin e vitit 2025. Ashtu siç i kemi votuar buxhetin për tri vitet e mëhershme i kishim votuar edhe tani dhe nuk kemi hezituar aspak, por mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies, ideja për me tregu superfuqi pa pasur as bazë është ajo që e ka pru Komunën e Gjilanit në këtë gjendje”, tha Kurteshi për Gazetën “Enigma”.
“Përgjegjësia është direkte e Alban Hysenit për këtë, të vetmit që do të pësojnë nga kjo gjendje janë qytetarët e Gjilanit”. /Gazeta Enigma/