Shteti “mezi” po mbahet me ushtrues detyre, kjo po shihet si sfiduese për funksionimin e insitucioneve

Shteti “mezi” po mbahet me ushtrues detyre, kjo po shihet si sfiduese për funksionimin e insitucioneve

Tash e ca kohë, disa prej institucioneve shtetërore po funksionojnë me ushtrues detyre.

Përveç Zyrës së Kryeministrit, edhe 8 ministri të tjera zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë mënyrë, shkruan Gazeta Enigma.

Në mesin e tyre janë ajo e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe ministri të tjera.

Lidhur me këtë fenomen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë thënë se funksionimi i institucioneve me ushtrues detyre paraqet sfida për stabilitetin dhe efikasitetin e qeverisjes.

Naim Jakaj, hulumtues në IKD për Gazeta Enigma është shprehur se mungesa e një pozite të zgjedhur mund të dëmtojë zbatimin e reformave dhe zhvillimin e politikave publike.

“Ushtruesit e detyrës, edhe pse sipas ligjit, kanë autorizime të njëjte me të drejtuesit të emëruar sipas konkursit, ata nuk kanë autoritetin e nevojshëm dhe legjitimitetin që vjen nga një mandat i zgjedhur, çka mund të sjellë pasiguri gjatë ushtrimit të detyrës së tij dhe në anën tjetër mund të minojë besimin e qytetarëve në institucione”, thotë Jakaj.

“Ushtruesit e detyrës shpesh ndihen të limituar në aftësitë e tyre për të krijuar një vizion afatgjatë dhe për të siguruar një përgjegjshmëri të duhur në vendimmarrje. Kjo mund të krijojë një kulturë të papërgjegjshmërisë dhe vonesave në procese, duke e bërë qeverisjen më të ngadalshme dhe më pak efektive”, shton tutje ai.

Çka thotë ligji?

Ndërkaq se si e interpreton ligji këtë çështje, për Gazetën Enigma ka ndarë detaje Anton Nrecaj, eksperti ligjor.

“Korniza ligjore e specifikon afatin se sa mund një zyrtarë të ketë pozitën ushtrues detyre, që do të thotë, është 6 muaj dhe maksimumi deri në një vit, gjithmonë me arsyetimin dhe argumentimin, nëse procesi i emërimit të asaj poztie ka pasur shkelje apo ndonjë konflikt interesi”, deklaron Nrecaj.

“Kjo praktikë me këtë qeveri ka kaluar të gjitha standartet..Kjo rezulton me mos gatishmërinë dhe mos pjekurinë e institucioneve që ta respektojnë kornizën ligjore, ta respektojnë ligjin”, u shpreh njohësi ligjor.

E pikërisht për arsyen se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk ka një drejtues të emëruar me konkurs e për më tepër ka një ushtrues me mandat të skaduar, pati vonesë në procesimin e pagave të shërbyeseve civil në vend.

Gazeta Enigma i ka drejtuar pyetje Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Enigma

Related Articles