Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se është për keqardhje që përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, ende nuk kanë dhënë llogari.
Në forumin ‘2BS’ në Budvë të Malit të Zi, Lajçak ka theksuar se sulmi i Banjskës ka pasur një ndikim përcaktues në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, është për keqardhje që ende nuk ka llogaridhënie sa i përket sulmit që la të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku.
“Banjska ka pasur një ndikim shumë përcaktues në atmosferën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. BE ka qenë shumë e qartë se ata që janë përgjegjës, duhet të japin përgjegjësi. Ne e dimë kush janë këta njerëz, disa prej tyre kanë marrë përgjegjësi, është për të ardhur keq që nuk kemi parë asnjë llogaridhënie”, është shprehur Lajçak.
Në këtë forum, Lajçak ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.
Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.
“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës. Prandaj edhe kemi më shumë tensione”, ka thënë ai.
Ndërsa, nëpërmjet një postimi në X, Lajçak ka nënvizuar rëndësinë e prioriteteve të BE-së në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në një diskutim mbi prioritetet dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor, theksova rëndësinë e përcaktimit të qartë të prioriteteve të Bashkimit Evropian për të shmangur sfidat e ardhshme në rajon”, ka shkruar ai.