Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aplikimi për Thirrjen Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë për Investimin në Pajisje Efiçiente për Ngrohje, është mbyllur sot, gjashtë ditë para afatit të fundit për aplikim.
Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të një numri të mjaftueshëm të aplikimeve për shumën e caktuar për këtë thirrje, thuhen në arsyetimin e kësaj ministrie.
Deri në mbylljen e thirrjes gjithsej kanë aplikuar 13,415 qytetarë.
“Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm. Të gjithë ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë”, thuhet në njoftim.
Thirrja Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë ka qenë e hapur nga data 12 shtator 2024 dhe ishte planifikuar të përfundojë më 11 tetor 2024. /Gazeta Enigma