Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës ka njoftuar se Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë (për mallrat serbe), nga kufizimi tek kontrolli i shtuar.
Një vendim të tillë me sa duket e ka mirëpritur, kryeministri serb Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se me vendimin për heqjen e ndalimit për hyrjen e produkteve nga Serbia në pikën kufitare të Merdarë, Kosova, sipas tij, e ka zbutur “tensionin që ekzistonte prej kohësh”.
Ai tha se serbët në Kosovë mund të marrin furnizim të rregullt me ushqime dhe ilaçe, njofton Kosovonline, përcjellë Gazeta Enigma.
Vuçeviq shtoi se do të dëshironte që vendimi të mos ishte vetëm për Merdarë.
“Është një përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila theksoi fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për marrëveshje, nuk mendojmë se kompromisi është gjë e keqe, veçanërisht nëse kjo do të krijojë kushte më të mira për jetën e serbëve në Kosovë”, tha Vuçeviq./Gazeta Enigma