Deputetët e opozitës kanë bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për të premten, pas publikimit të përgjimeve të komunikimit mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
Po ashtu është propozuar edhe një rezolutë që kërkon hetimin e Kusari-Lilës dhe shkarkimin e saj nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar.
Në lajmërimin për thirrjen e seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kërkesa është “lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e kësaj Republike, për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës”.
“Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje”, ka shkruar ai në Facebook.
“Njëherit, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahjen këtij mega skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se populli i Kosovës nuk meriton mjegull. “Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij”, tha ai.
Ndryshe, të mërkurën u publikua një audio-incizim në të cilin u dëgjua zëri i Kusair-Lilës teksa bisedon me kryeterroristin e veriut MIlan Radoiçiq.