“Ministri Ejup Maqedonci e ka dorëzuar dorëheqjen te Kurti”

“Ministri Ejup Maqedonci e ka dorëzuar dorëheqjen te Kurti”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se ka marrë informacione që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, raporton Enigma.

Kjo pas problemeve të fundit me furnizimin e ushqimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Kam informacione të pavërtetuara që Maqedonci e ka dorëzuar dorëheqjen te Kurti. Po ende nuk e ka konfirmuar Kurti.

Kështu që ata njerëz që kanë kontribuuar me dekada në forcimin e shtetit, në forcimin e ushtrisë së Kosovës, unë jam shumë e bindur nuk pranojnë të poshtërohen në këtë mënyrë nga Albin Kurti dhe njerëz parazitë që janë rreth Albin Kurtit”, ka thënë deputetja e PDK-së në FIVE të Dukagjinit.

Ministria e Mbrojtjes, përmes zëdhënëses Liridona Gashi, e ka mohuar këtë informacion.

“Jo, nuk është e vërtetë”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.

Related Articles