Fyerjet ndaj Kosovës, Federata e Futbollit të Kosovës i ka adresuar në UEFA.
Këto fyerje janë bërë në dy ndeshje të Ligës së Kombeve: Çeki – Shqipëri e Serbi – Zvicër.
Në të dy ndeshjet kishte thirrje për Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa u shfaq edhe flamuri serb mbi hartën e Kosovës.
FFK, ka dënuar ashpër shfaqjen e këtyre banderolave si dhe thirrjet kundër Kosovës e shqiptarëve në të dy ndeshjet.
“Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh. Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo”, shkruan në reagimin e FFK-së, të publikuar të dielën pasdite në sajtin zyrtar të saj.
Siç bëhet e ditur, FFK-ja ka përgatitur materialin për ankesën zyrtare në Konfederatën Evropiane të Futbollit, si rrjedhojë priten dënime si për federatën çeke ashtu edhe për federatën serbe. /Gazeta Enigma