Brucker: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke

Brucker: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke

E Ngarkuara me Punë e ShBA-së në OSBE, Katherine Brucker, ka theksuar se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke.

Komentet e saj erdhën gjatë fjalës në Këshillin e Përhershëm të këtij misioni në Vjenë, në përgjigje të raportit nga Cornelia Taylor, Ushtruese Detyre e Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën si një demokraci sovrane dhe multietnike, dhe i kërkojnë liderëve të saj të promovojnë një shoqëri që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve. Normalizimi i marrëdhënieve përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Në fund, normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke, e cila është thelbësore për aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE,” tha Brucker.

Ajo shprehu gjithashtu dëshirën që Kosova të bëhet pjesë e OSBE-së, duke e cilësuar si një humbje që vendi nuk është anëtar. “Mezi presim ditën kur Kosova do të ketë mundësinë të flasë vetë para këtij organi,” potencoi Brucker.

Brucker shprehu shqetësim për sfidat me të cilat po përballet Misioni i OSBE-së në Kosovë, për shkak të “kufizimeve të rënda financiare”.

Ajo kritikoi shtetet pjesëmarrëse për paaftësinë për të arritur një konsensus mbi një buxhet të unifikuar, duke theksuar se kjo situatë ka vënë në presion aftësitë e misioneve për të përmbushur mandatet e tyre.

Brucker bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm të Buxhetit të Unifikuar nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse./GazetaEnigma/

Related Articles