Ministria e Mbrojtjes i reagon Haradinajt: Numri i dronëve në FSK veç po shtohet

Ministria e Mbrojtjes i reagon Haradinajt: Numri i dronëve në FSK veç po shtohet



Ministria e Mbrojtjes ka mohuar deklarimet e Daut Haradinajt, i cili ka thënë se një dron i FSK-së ka humbur.  Jo që s’ka humbur, por sipas ministrisë “dronët po shtohen”, raporton Gazeta Enigma.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyrat e saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash, sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për formimin e një ushtrie të gatshme për mbrojtje të territorit”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ata kanë cilësuar si lajm të pavërtetë deklarimin e Haradinajt.

“Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake”.

Haradinaj e Maqedonci kanë polemizuar edhe të enjten lidhur me çështjen e dronit. Pasi Maqedonci kishte mohuar deklarimet, Haradinaj i kishte thënë të mos flasë për ministri “meqë askush se pyet për asgjë”. / Gazeta Enigma.

Related Articles