KE-ja jep dritë të gjelbër për agjendat e reformave në Ballkanin Perëndimor

KE-ja jep dritë të gjelbër për agjendat e reformave në Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian ka miratuar agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, duke mundësuar kështu pagesat e para nga Plani i Rritjes dhe Reformave.

Ky vendim u mor në takimin e datës 23 tetor, pas pëlqimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, njofton Gazeta Enigma.

Bosnjë e Hercegovina mbetet e vetmja që nuk ka miratuar agjendën e saj, duke mos e dorëzuar atë në kohë.

“Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e Ballkanit Perëndimor shprehin angazhimin për reforma themelore dhe socio-ekonomike, me qëllim që të sigurojnë rritje dhe konvergjencë me BE-në nga viti 2024 deri në vitin 2027,” njoftoi Komisioni Evropian.

Plani i Rritjes ka një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë euro do të jepen si grante, ndërsa pjesa tjetër do të ofrohet si kredi të favorshme.

Kosova pritet të jetë përfituesja më e madhe për kokë banori nga kjo paketë, me më shumë se 820 milionë euro të alokuara për të.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti miratimin e agjendave të reformave, duke theksuar:

“Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Kjo tregon përkushtimin e tyre për të arritur sukses me Planin e Rritjes dhe për t’i afruar ekonomitë e tyre me tregun tonë unik.”

Agjendat e reformave përqendrohen në fusha prioritare si sundimi i ligjit, të drejtat themelore, qeverisja, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, si dhe zhvillimi i një mjedisi të favorshëm për biznes./GazetaEnigma/

Related Articles