Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka theksuar se që nga 23 prilli 2020, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai deklaroi se gjatë kësaj periudhe, buxheti i KEK-ut ka tejkaluar 600 milionë euro, por nuk dihet saktësisht si janë menaxhuar këto fonde, shkruan Gazeta Enigma.
“Që nga 23 prilli 2020, KEK-u është menaxhuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kur Qeveria Kurti 1 emëroi bordin dhe drejtuesit e rinj. Tani kemi hyrë në vitin e pestë, dhe buxheti i shpenzuar kalon 600 milionë euro, pa pasur qartësi se kush e ka menaxhuar këtë shumë,” tha Tahiri gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Ai gjithashtu vuri në dukje se KEK-u ka lidhur tenderë njëburimorë me vlerë mbi 100 milionë euro për dy vitet e fundit, duke e konsideruar këtë një situatë të paprecedentë.
“Në katër vitet e fundit, janë dhënë 105 milionë euro për kontrata njëburimore, që nuk ka ndodhur kurrë më parë,” theksoi ai.
Tahiri po ashtu theksoi se, nën udhëheqjen e VV-së, çmimi i energjisë elektrike është rritur 100 për qind.
Ai argumentoi se, sikur të ishin ndjekur planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, Kosova do të ishte në prag të lëshimit të këtij termocentrali dhe do të paguante 80 euro për megavat, ndërsa aktualisht çmimi arrin deri në 800 euro për megavat./GazetaEnigma/