Në takimin tre-palësh mes kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, atij serb Petar Petkoviq dhe emisarit Miroslav Lajçak, Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.
Sipas njoftimi të lëshuar nga Qeveria e Kosovës rreth takimit, Bislimi nënvizoi nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, “patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”.
Ndër tjera, shtohet se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku sipas Qeverisë së Kosovës, Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.
Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare.
Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë. /Gazeta Enigma